Kulturë opinion Uncategorized

“Malet me blerim mbuluar”

Nga Kastriot KOTONI

Një histori dashurie mbuluar me blerim sakrificash. Kabo dhe Jaho i përmend Lilo Labja, personazhi kryesor femër e luajtur mjeshtërish nga aktorja e mirënjohur Yllka Mujo. Ajo së pari kërkon Kabon, i cili është shpëtimtari i jetës dhe Jahon, partizanin xheloz që vigjëlon çdo frymarrje të saj. Po të kishte në atë kohë një kompani serioze që t’i bënte piarin këtij filmi, sot do të njiheshim në të gjithë botën. Lirizmi shpirtëror dhe epopeja e luftës për çlirim kombëtar janë aq të balancuara, sa vetëm regjizor të mëdhenj, si mjeshtri Anagnosti dinë ta transmetojnë këtë ndjesi. Polifonia si këngë nistare e dasmës në Jug të Shqipërisë dhe galeria e personazheve që qëndrojnë mjaft mirë, pranë një parabole historike, në dialogun mes dy bashkëkombasish italianë…, e kujtoni në ndonjë film botëror? Unë them jo. Merrni edhe filmin “Mirandolina” i cili është ku e ku sa vite larg me këtë tonin. Filmi është i shkurtër për të krijuar një kujtesë të gjatë, mbarsur me batuta, pejsazh e dialogje të cilave po t’i shtosh dorën e regjizorit, kupton se kuadri filmik i qëndron personazhit përballë dhe afër në potretizimin e çdo personazhi dhe ka skena plot dritë-hije në një mot me shi dhe suferinë. Dasëm dhe histori, kanun dhe ideal për liri… Çështje shpirtërore erotike dhe dhimbje njerëzore… Peliçeli na ka ardhur përsoshmërisht si një italian i vërtetë. Në gojën e tij është opinoni pozitiv i një të huaji i cili i vlerëson shqiptarët. Është si të thuash mirënjohja e të huajve në shtëpinë e shqiptarit. Ka dimension ndërkombëtar ky film, nuk është vënë kot ky episod? Po një shpullë babai në kohë lufte, në cilin film botëror e mbani mend? E çfarë do kenë hequr ata të grupit të xhirimit që janë marrë me këtë film? Ka skena plot jetë në atelienë e natyrës, siç ka edhe teknologji në atelienë e Kinostudios. Sot shprehja “Kemi apo s’kemi dasëm o Safa Ymeri?!”, përdoret si ritual në situata të ndryshme njerëzore, sidomos në ditë gëzimi për të hapur ceremoninë… Kur sheh kompozimin e figurës artistike, kupton se ka një kamera që lëviz nga poshtë lart dhe kurriz më kurriz të kuvendimit të personazheve. Anagnosti si mjeshtër i kameras, ka ditur të fokusojë planin e madh të dasmës dhe planin e detajuar të personazheve. Malet që blerojnë me të gjitha hallet e kohës së luftës, pothuajse në stinën e dimrit, ndriçohen bashkë me shpresën për jetën. Ka një diapazon të gjërë njohjeje të dokeve dhe zakoneve të kësaj zone, dhe monopatet e ecjes nëpër shtigje dhe rreziqe u vishet një tis më i vështirë psikologjik se, njeriu duhet të zgjedhë, me kë duhet të jetë përballë një luftëtareje të lirisë ? Ta ndihmojë partizanen si bijë miku? A të prishë dasmën e djalit? Nuk ndodh, e nuk ndodh shpesh kjo situatë… Ekzekutimi i një harpi dialogjesh ka rritur tensionin e situatës familjare, ideokigjike dhe kanunore. Ka bërë filma bota do thotë dikush? Por, ato aty rrotull sillen, situatë pas situate nga një aventurë në tjetrën, ndërsa ky film është gatuar me miell vendi falë kineastëve shqiptarë, plot origjinalitet në shërbim të universales. Dollibashi i dasmës provokon, hapet tablloja e përjetshme shqiptare. Duhet të respektosh e të nderosh në radhë të parë mikun dhe të zotin e shtëpisë. Po cili kineast i huaj do na e kuptojë këtë ritual shekullor? Po një djalë, që lë dasmën për çështjen e atdheut, ku e keni parë? A do të kishte zgjidhje tjetër ky skenar ? Anagnosti i ndjerë që nga sot, na e ka lënë një hipotekë etnopsikologjike të popullit në një film si “Malet me blerim mbuluar”. Muzika e filmit i ngjitet monotonisë së stinës dimërore, por është sinkron me çdo situatë, me një kor shumëzërash që gurgullon, si një uturimë lumi. Ka shumë informacion sot në sajë të internetit, por, pa idealizuar kohën e shkuar, ne shqiptarët e këtij 80-vjetëshi e kemi luksin që të diskutojmë për arkivën shpirtërore si në këtë rast, sepse mosha e kinematografisë sonë është shumë e re dhe, në botë, problemi kryesor është zhdukja për shkak të teknologjisë së shumë arkivave filmike. Ne duhet t’i shmangemi humnerës së harresës dhe ta rifreskojmë arkivën filmike, e jo të vetëflijojmë idenë e ruajtjes së vlerave me debate në emër të një ideologjie. Shumë shqiptarë sot, janë martuar me qytetarë të huaj nga e gjithë bota, e kanë vuajtur me shpirt nëpër dhëmbë përplasjen mes kulturave… Mjafton ky film kaq aktual, që ta shohin së bashku në familje dhe do të ndihen krenarë.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *