Një paralajmërim për (pa)qëndrueshmërinë financiare dhe rrezikun e kapjes së shtetit

Nga Arben MALAJ
Një paralajmërim serioz për (pa)qëndrueshmërinë financiare. 80 për qind e 4P-ve janë pa garë, janë preferenciale dhe shumë prej tyre, edhe si nënkontraktore, i kanë marrë kompani me burime kriminale.
Opsioni i PPP-ve është shumë i kushtueshëm në raport me çdo formë tjetër financimi të investimeve publike, siç janë investimet nga taksat. Aq më mirë kur këto investime mbështeten nga fondet e mësipërme, grante nga BE dhe kredi nga bankat e zhvillimit si Banka Botërore, Banka Evropiane e Investimeve, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, por edhe marrëdhënie bilaterale si KfW gjermane, bashkëpunimi italian apo edhe banka dhe fonde investimesh nga Lindja e Mesme.
Përjashtimi i këtyre opsioneve financimi, të cilat rrisin transparencën, konkurrencën dhe përgjegjshmërinë, bëhet vetëm sepse kontratat dhe miliardat e 4P-ve (Partneritete Publike-Private-Preferenciale) duhet të shkojnë aty ku ka preferenca qeveritare.
Asnjë donator nuk duhet të jetë pjesë e asnjë procesi, duke filluar nga studimi i fizibilitetit, përzgjedhja me garë e fituesve, mbikëqyrja e rreptë e ndërtimit, mirëmbajtjes dhe respektimi strikt i detyrimeve dypalëshe dhe shumëpalëshe.
80% pa garë, pra me kosto abuzive dhe me nivel të lartë korrupsioni.
Një studim i Bankës Botërore disa vite më parë rezultoi se keqpërdorimi i fondeve për investimet publike, ku përfshihet mungesa e efikasitetit dhe kostot e korrupsionit, ishte 50% për vendet e varfra. Pra, nga 2 miliardë dollarë, vetëm 1 miliardë e vlerës së investimeve investohej realisht në infrastrukturë.
Në vendet në zhvillim, ku përfshihet edhe Shqipëria, humbjet nga mungesa e efikasitetit dhe korrupsioni i lartë ishin rreth 35%.
Pra, nëse investimet me 4P janë rreth 2 miliardë euro, 700 milionë janë humbje dhe vjedhje.
Opsioni i 4P-ve përfshin:
- Pa garë.
- Me përzgjedhje personale.
- Me rrezik për kosto të larta në ndërtim dhe mirëmbajtje.
- Me nivel shumë të lartë korrupsioni dhe kapje të shtetit…, dhe do t’i rëndojë ndjeshëm taksapaguesve shqiptarë.