Mbretëria e Bashkuar: Zëvendëskryeministrja Angela Rayner jep dorëheqjen pas një çështjeje me taksa të papaguara.

Zëvendëskryeministrja dhe njëkohësisht ministrja britanike e Strehimit, Angela Rayner, është detyruar të largohet nga qeveria e Keir Starmer-it pas një skandali fiskal, duke shkaktuar një tronditje të fortë politike dhe riformatim të kabinetit.
Angela Rayner, e njohur si një nga figurat më të rëndësishme të krahut të majtë të Laburistëve, 45 vjeç, pranoi se nuk kishte paguar rreth 40 mijë paund (rreth 46 mijë euro) taksa në lidhje me blerjen e një apartamenti. Një raport i këshilltarit të pavarur etik, i publikuar këtë të premte, konfirmoi se ajo kishte shkelur kodin e sjelljes ministrore duke hequr emrin e saj nga certifikata e pronësisë së një banese tjetër për të përfituar financiarisht.
Në një letër drejtuar kryeministrit Starmer, Rayner deklaroi: “Marr përgjegjësinë e plotë për këtë gabim dhe jap dorëheqjen nga funksioni im si zëvendëskryeministre dhe ministre e Strehimit, si edhe nga posti i nënkryetares së Partisë Laburiste.”
Largimi i saj përbën një goditje të madhe për qeverinë laburiste, e cila tashmë përballet me sfida të shumta. Rayner, që shpesh ka qenë në shënjestër të mediave konservatore, është një politikane që ka nisur jetën e saj si nënë e re dhe aktiviste sindikale, përpara se të ngjitej në radhët drejtuese të partisë.