
Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae-myung, ka urdhëruar mobilizim të plotë për t’iu përgjigjur arrestimit të qindra qytetarëve të vendit të tij gjatë një aksioni të madh emigracioni në një fabrikë baterish të Hyundai Motor–LG në Shtetet e Bashkuara.
Të enjten, rreth 475 punëtorë, mbi 300 prej tyre shtetas koreanë të jugut, u arrestuan në uzinën pranë Savannah-s, në shtetin jugor të Georgias. Ky ishte operacioni më i madh i njësiteve të Immigration and Customs Enforcement (ICE), agjenci që bën pjesë në Departamentin Amerikan të Sigurisë Kombëtare.
Deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump, i cili i cilësoi punëtorët e arrestuar si “emigrantë të paligjshëm”, kanë shkaktuar zemërim të madh në Seul. Opozita koreane e quajti ngjarjen “një çështje tepër serioze”, ndërsa qeveria kërkoi një reagim të menjëhershëm diplomatik.
Ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Cho Hyun, deklaroi të shtunën se presidenti Lee ka udhëzuar zyrtarët të zgjidhin me shpejtësi këtë çështje, duke theksuar se të drejtat dhe interesat e shtetasve koreanë dhe të kompanive të Koresë së Jugut që investojnë në SHBA, nuk duhet të shkelen.
Sipas agjencisë zyrtare Yonhap, qeveria koreane ka ngritur një grup pune për t’iu përgjigjur situatës dhe ka paralajmëruar se, nëse është e nevojshme, ministri Cho do të udhëtojë vetë në Washington, për të zhvilluar bisedime me administratën amerikane.
“Jemi thellësisht të shqetësuar dhe ndiejmë një përgjegjësi të madhe për arrestimin e shtetasve tanë”, tha Cho përpara një mbledhjeje urgjente të shtunën. “Do të diskutojmë dërgimin pa vonesë të një zyrtari të lartë të Ministrisë së Jashtme në vendngjarje dhe nëse është e nevojshme, unë vetë do të udhëtoj në Washington, për konsultime me administratën amerikane.”