Sport

Alcaraz ngjitet sërish në majë, mposht Sinner dhe fiton US Open 2025 !

Carlos Alcaraz shkëlqeu në finalen e US Open 2025, duke mundur rivalin e tij më të madh, Jannik Sinner dhe duke u kurorëzuar për herë të dytë kampion në këtë turne prestigjioz. Në një ndeshje të fortë e me ritme të shpejta, spanjolli 22-vjeçar triumfoi me rezultatin 6-2, 3-6, 6-1, 6-4, përpara një publiku të zjarrtë në stadiumin “Arthur Ashe” të Nju Jorkut.

Me këtë sukses, Alcaraz siguroi Grand Slam-in e gjashtë në karrierë dhe të dytin për këtë vit, duke u rikthyer edhe njëherë në vendin e parë të renditjes botërore. Performanca e tij u vlerësua për qetësinë dhe forcën që shfaqi në momente vendimtare, duke i dhënë fund ëndrrës së Sinner për të mbrojtur titullin.

Finalja u ndoq nga Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ishte i pranishëm në tribunë me stafin e tij. Masat e shtuara të sigurisë për vizitën presidenciale bënë që ndeshja të niste me vonesë, duke shtuar edhe më shumë emocionin në arenë.

Ky duel i ri mes Alcaraz dhe Sinner e forcon rivalitetin e tyre si një nga më epikët e tenisit modern, një përballje që tashmë konsiderohet simbol i gjeneratës së re që po dominon sportin botëror.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *