
Një sherr mes dy familjeve në lagjen nr. 15 të Spitallës ka përfunduar me plagosjen e dy personave dhe arrestimin e dy të rinjve.
Policia e Durrësit bëri të ditur se në pranga kanë rënë R. Elezi, 22 vjeç, dhe A. Dubraku, 23 vjeç, të dy banues në qytetin bregdetar. Sipas hetimeve paraprake, gjatë përplasjes, Elezi ka përdorur një thikë, duke plagosur rëndë M. D., 47 vjeç, ndërsa Dubraku ka goditur me grushte A. E., 46 vjeç, i cili ka mbetur i dëmtuar në fytyrë.
Të dy të plagosurit ndodhen nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Durrësit dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë dhe ka përfshirë dy çifte “babë e bir”, të cilët dyshohet se u konfliktuan për motive të dobëta. Përplasja degradoi në dhunë fizike, duke u shndërruar në një ngjarje të rëndë kriminale.
Ndaj Elezit rëndojnë akuzat për “plagosje të rëndë me dashje” dhe “mbajtje pa leje e armëve të ftohta”, ndërsa Dubraku akuzohet për “plagosje të rëndë me dashje”.
Materialet e mbledhura nga grupi hetimor i janë referuar Prokurorisë së Durrësit, e cila do të vijojë procedurat ligjore për ngjarjen.