
Më 11 shtator 2001, qielli i Nju Jorkut u mbush me hirin e një tragjedie që ndryshoi botën. Kullat Binjake, dikur simbol i lirisë dhe fuqisë amerikane, u shembën përpara syve të njerëzimit, duke marrë me vete mijëra jetë të pafajshme. Çdo vit në këtë ditë, bota ndalet për një çast, për të kujtuar ata që u larguan papritur, për të nderuar sakrificën dhe për të reflektuar mbi brishtësinë e paqes dhe jetës njerëzore.
11 shtatori 2001 mbetet një pikë kthese dramatike në historinë moderne. Rrëzimi i Kullave Binjake nuk ishte vetëm një tragjedi me mijëra viktima të pafajshme, por edhe një shenjë e qartë se bota nuk do të ishte më e njëjtë. Ashtu si shpërthimi i Luftës së Parë Botërore në vitin 1914 ose agresioni nazist i viteve ’30, edhe 11 Shtatori shënoi kalimin drejt një epoke të re; epokës së frikës globale, të luftës kundër terrorizmit dhe të ripërcaktimit të aleancave ndërkombëtare.
Sot, 24 vite më pas, ndërsa bota përballet me konflikte të reja; nga agresioni rus në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme, deri te krizat e reja gjeopolitike, kujtesa e 11 Shtatorit bëhet edhe më domethënëse, jo vetëm si një ditë zie për Amerikën, por edhe një moment reflektimi global mbi paqen, sigurinë dhe çmimin e lirisë.
E ndërsa bie kambana e kujtesës, përulemi me dhimbje e respekt përpara viktimave të 11 Shtatorit, duke kujtuar se jeta është e brishtë, liria nuk është dhënë njëherë e përgjithmonë dhe se kujtesa është detyrimi ynë i përjetshëm.