Bota Sport

Jimmy Gressier, i pari francez që shpallet kampion bote në 10 mijë metra

Me një sprint të jashtëzakonshëm në vijën e fundit, 28-vjeçari Jimmy Gressier shkruan historinë duke u bërë i pari francez dhe vetëm i treti europian që fiton titullin botëror në 10 mijë metra.

Atleti francez ka shkruar historinë në Kampionatin Botëror të Atletikës në Tokio, duke fituar titullin e parë për Francën në garën e 10 mijë metrave.

Gjithçka u vendos në metrat e fundit. Në një sprint të fuqishëm në vijën e fundit, Jimmy Gressier, 28 vjeç, triumfoi të dielën, më 14 shtator, duke lënë pas etiopianin Yomif Kejelcha dhe suedezin Andreas Almgren, me kohën 28 minuta, 55 sekonda e 77 të qindtat.

Në pjesën më të madhe të garës, Gressier qëndroi në mes të grupit, por tre kilometra para fundit arriti të rikthehej në krye. Në xhiron e fundit, megjithëse nuk ishte në pozicionin ideal, ai ngjiti vend pas vendi deri sa, në sprintin final, kaloi rivalët për të siguruar një fitore historike.

Ky sukses është vazhdim i formës së tij të shkëlqyer, pas fitores në garën 3 mijë metra të Diamond League në Cyrih, fundin e gushtit. Ajo fitore i dha bindjen se mund të rivalizonte në nivelet më të larta botërore edhe në garat më të gjata.

Me këtë arritje, Gressier bëhet i pari francez dhe vetëm i treti europian në histori që fiton titullin botëror në 10 mijë metra, duke hyrë në elitën e atletikës botërore dhe duke dhënë një moment krenarie për sportin francez.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *