Botërori i Peshëngritjes për të rinj që po mbahet në Lima të Perusë, ka folur shqip, përmes garës së jashtëzakonshme të sportistes 17-vjeçare, Enkileda Cara, që u shpall Kampione Bote e 3-fishtë, theu 3 rekorde evropiane dhe mori edhe një medalje Bronzi për të rinj mbi 18 vjeç.
Vetë Presidenti i Federatës Botërore të Peshengritjes dhe njëherësh mik i Shqipërisë, Mohamed Jalood, i ka dorëzuar medaljet e Arit, me 98kg në shkëputje, 115kg në shtytje dhe 213kg në dygarësh. Të gjitha këto rezultate janë rekordet e reja europiane për femra, nën moshën 18 vjeç. Ndërkohë rezultati në shkeputje me 98kg, i ka dhënë automatikisht edhe medaljen e Bronzit në kategorinë mbi 18 vjeç.
Shumë e emocionuar pas garës trajnerja e Enkileda Carës, Englantina Kalemi tha: “E kemi pritur këtë ditë. Enkileda është Kampionia e parë botërore e Shqipërisë dhe tre rekorde evropiane – kjo është shumë mbresëlënëse!”