Aktualitet Bota

Ministri pakistanez i Ndryshimeve Klimatike: Përdorimi i pabarabartë i resurseve globale, “Krizë drejtësie”

Pakistani ndër më të rrezikuarit nga ndryshimet klimatike, megjithëse kontribuon me më pak se 1% në emetimet globale

Pakistani po përballet me një nga përmbytjet më të rënda të dekadave të fundit, ku mbi 1 mijë persona kanë humbur jetën dhe mbi dy milionë janë zhvendosur. Ministri i Ndryshimeve Klimatike, Musadik Malik, e ka cilësuar situatën si një “krizë drejtësie”, duke theksuar se vendi i tij është ndër më të goditurit nga ndryshimet klimatike, por pa qenë kontribues në ndotjen globale.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, më shumë se 6 milionë njerëz janë prekur nga shirat e dendur dhe rrëshqitjet e dheut që nisën më 26 qershor, duke dëmtuar mbi 12,500 banesa, shkatërruar mijëra hektarë me kultura bujqësore dhe duke shkaktuar humbjen e 6,500 krerëve bagëti.

Malik paralajmëroi se shkrirja e shpejtuar e mbi 13mijë akullnajave në Pakistan rrezikon të prishë sistemin e lumenjve dhe kanaleve, duke sjellë pasoja katastrofike për bujqësinë, e cila punëson mbi gjysmën e popullsisë dhe përbën shtyllën e ekonomisë. Përveç humbjeve të të mbjellave, ai theksoi se pasojat janë më të gjera: humbje jetësh, rritje e sëmundjeve të ujit, shkatërrim i infrastrukturës dhe zhdukje e trashëgimisë kulturore.

Ministri i klimës ngriti gjithashtu shqetësime për ndarjen e padrejtë të fondeve ndërkombëtare të gjelbërta. Ai vuri në dukje se 85% e financimeve për rezistencë klimatike shkojnë tek 10 vendet që janë edhe ndotësit më të mëdhenj, ndërsa mbi 180 vende të tjera, si Pakistani, marrin vetëm 10-15%. “Kjo nuk është thjesht një krizë klimatike, është një “krizë drejtësie”, tha Malik, duke akuzuar fuqitë e mëdha për indiferencë dhe përdorim të pabarabartë të resurseve globale.

Përballë mungesës së fondeve të mjaftueshme, Pakistani po përpiqet të përqendrohet tek adaptimi dhe rezistenca lokale, edhe pse, siç pranoi Malik, kapacitetet janë të kufizuara. Prioritetet e vendit janë qasja e popullsisë tek uji i pastër, ajri i shëndetshëm dhe energjia e përballueshme, çështje që shpesh nuk kuptohen nga vendet e industrializuara.

Përmbytjet e këtij viti në Pakistan nuk janë vetëm një fatkeqësi natyrore, por një pasqyrë e thellimit të pabarazive globale, ku vendet më të varfra paguajnë çmimin më të rëndë për një krizë të shkaktuar kryesisht nga të pasurit.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *