
Nëna dhe blogerja e njohur humbi jetën pak orë pas operacionit në një klinikë private në Moskë, autoritetet nisin hetimet
Influencerja dhe nëna e një fëmije, Yulia Burtseva, ka ndërruar jetë në moshën 38-vjeçare pas një ndërhyrjeje estetike të kryer në një klinikë private në Moskë.
Sipas mediave ruse, Burtseva pësoi një komplikacion të papritur shëndetësor menjëherë pas injeksioneve të kryera gjatë procedurës, duke humbur jetën pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar. Raportimet paraprake flasin për një shok anafilaktik si shkak të mundshëm të vdekjes.
Vetëm disa orë para ndërhyrjes, influencerja kishte publikuar një video në rrjetet sociale, ku shfaqej e qetë dhe e buzëqeshur gjatë një mëngjesi në një lokal luksoz të Moskës. Videoja është kthyer tashmë në postimin e saj të fundit, duke tronditur ndjekësit e shumtë që e ndiqnin për përmbajtjet mbi jetën familjare.
Yulia Burtseva jetonte në Itali së bashku me bashkëshortin italian dhe vajzën e tyre të vogël, ndërsa kishte udhëtuar drejt Rusisë një ditë para operacionit. Ajo ishte e njohur për videot ku promovonte vlerat familjare dhe jetën në një familje ndërkulturore.
Autoritetet ruse kanë nisur një hetim penal për të sqaruar rrethanat e vdekjes. Sipas njoftimeve zyrtare, po sekuestrohen dokumente dhe po kryhen ekspertiza mjeko-ligjore, ndërsa stafi i klinikës mund të përballet me përgjegjësi penale nëse provohet neglizhencë profesionale.
Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku ndjekësit shprehin tronditje dhe pikëllim, ndërsa disa prej tyre vënë në diskutim rreziqet e ndërhyrjeve estetike. Bashkëshorti dhe vajza e saj ndodhen aktualisht në Itali, ndërsa familjarët e tjerë jetojnë në Rusi.
