
Ish-udhëheqësi venezuelian dhe bashkëshortja e tij do të paraqiten para një gjykate federale në Nju Jork pas arrestimit nga forcat amerikane
Ish-presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, është larguar nga burgu federal i Bruklinit dhe është nisur drejt Manhatanit, ku pritet të dalë për herë të parë para një gjykate federale në Shtetet e Bashkuara.
Sipas autoriteteve amerikane, Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, ndodhen aktualisht në paraburgim në Qendrën e Paraburgimit Metropolitan në Bruklin, në qeli të veçuara. Të dy janë shoqëruar nën masa të rrepta sigurie, fillimisht drejt një helipadi dhe më pas drejt Manhatanit, ku do të paraqiten para gjyqtarit federal Alvin K. Hellerstein.
Maduro dhe Flores janë akuzuar nga Prokuroria Federale e Distriktit Jugor të Nju Jorkut për disa vepra të rënda penale, përfshirë komplot për narkoterrorizëm, import të kokainës në SHBA, posedim dhe komplot për përdorimin e armëve të rënda dhe mjeteve shkatërruese kundër Shteteve të Bashkuara.
Arrestimi i tyre u krye gjatë një operacioni ushtarak amerikan në Karakas, të quajtur Operation Absolute Resolve, pas një vendimi të marrë nga administrata e presidentit amerikan Donald Tramp. Sipas Uashingtonit, operacioni kishte për qëllim ndalimin e një regjimi që autoritetet amerikane e konsiderojnë të paligjshëm dhe të përfshirë në krim të organizuar ndërkombëtar.
Administrata amerikane ka deklaruar se Maduro ka qëndruar në pushtet përmes zgjedhjeve të manipuluara, përfshirë procesin zgjedhor të vitit 2024. Sipas Kushtetutës së Venezuelës, në rast largimi të tij nga pushteti, radhën për drejtimin e vendit e ka zëvendëspresidentja ekzekutive Delcy Rodriguez.
Seanca e sotme në Nju Jork shënon hapin e parë formal të procesit gjyqësor ndaj Madurros në SHBA, ndërsa autoritetet nuk kanë përjashtuar mundësinë e dënimeve shumë të rënda nëse ai shpallet fajtor për akuzat e ngritura.
