
Reshjet e dendura të shiut krijojnë kaos në qarkullim, Policia Rrugore jep udhëzime për rrugë alternative
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme serioze në qarkullimin rrugor, duke bllokuar hyrjen e qytetit të Durrësit nga drejtimi i Tiranës. Situata më problematike paraqitet në zonën pranë karburantit në hyrje të qytetit, ku prania e madhe e ujit në të dyja anët e rrugës e ka bërë të pamundur lëvizjen normale të automjeteve.
Për të shmangur bllokimet e mëtejshme dhe rrezikun e aksidenteve, Policia Rrugore ka ndërhyrë duke devijuar trafikun në disa segmente alternative. Sipas njoftimit zyrtar, automjetet që vijnë nga jugu në drejtim të Tiranës duhet të qarkullojnë nga Rruga e Plepave për në Ndroq dhe më pas të ndjekin aksin Rrogozhinë Elbasan Tiranë.
Ndërkohë, për mjetet që udhëtojnë drejt Durrësit, kalimi do të realizohet nga rruga e universitetit në drejtim të Spitallës, për të vijuar më tej në aksin Tiranë Elbasan Rrogozhinë.
Policia u bën apel drejtuesve të mjeteve që të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit dhe të zbatojnë udhëzimet e punonjësve të policisë dhe sinjalistikën rrugore. Shërbimet e Policisë Rrugore dhe patrullat e përgjithshme ndodhen në terren dhe po punojnë për menaxhimin e situatës dhe lehtësimin e qarkullimit.
