
Kapitulli më i ri i njërit prej rivaliteteve më emocionuese të tenisit modern do të zhvillohet në Nju Jork, ku Carlos Alcaraz do të përballet me Jannik Sinner në finalen e US Open 2025.
Për tifozët e tenisit, kjo është një mundësi për të parë të tashmen dhe të ardhmen e lojës, një duel që tashmë njihet me pseudonimin “Sincaraz”, në finalen e tretë radhazi të një Grand Slam-i këtë vit. Të dy tenistët e rinj kanë fituar nga një titull secili, në përballjet e tyre të mëdha gjatë 2025-ës, ndaj finalja e së dielës pritet të jetë vendimtare.
Ndeshja është planifikuar për të dielën, në orën 14:00 sipas orës lokale (18:00 GMT), në fushën e famshme blu të Arthur Ashe Stadium në Flushing Meadows, New York.
Dyshja u takua për herë të fundit më 18 gusht, në finalen e Cincinnati Open. Ndeshja përfundoi parakohe, pasi Sinner u tërhoq për arsye shëndetësore, vetëm pas 23 minutash lojë. Alcaraz u shpall kampion, por deklaroi: “Kjo nuk është mënyra se si dua t’i fitoj trofetë.”.
Që nga përballja e parë në vitin 2021, ata janë takuar 13 herë. Alcaraz ka fituar 9 ndeshje, ndërsa Sinner ka arritur të fitojë vetëm një nga pesë duelet e vitit 2025.
Finalja e US Open do të vendosë jo vetëm se kush do të mbyllë vitin me një tjetër trofe madhor, por edhe se kush do të marrë kryesimin në këtë rivalitet spektakolar, që po tërheq vëmendjen e botës së tenisit.